VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Ajo synon arritjen dhe realizimin e vetëvendosjes për popullin e Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet edhe për ndryshime radikale shoqërore e politike që do të mundësonin respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave civile dhe drejtësisë sociale për të gjithë dhe secilin në Kosovë pa kurrfarë diskriminimi.

njerëz në lëvizje
gjeneratë me shpjegim të ri
komunitet që refuzon të nënshtrohet
drejt vetëvendosjes dhe deri në vetëvendosje

Lëvizja VETËVENDOSJE!

13-11-2010

Shëndetësia publike do të jetë shtylla e sektorit të shëndetësisë

Të premten më 12 nëntor, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mbajt një takim pune nga kanditatët e listës zgjedhore të Lëvizjes, të cilët janë mjekë me profesion dhe përbëjnë 13.6% të listës së përgjithshme. Në takim morën pjesë edhe Albin Kurti, Visar Ymeri dhe Xhelal Sveçla, nga udhëheqja qendrore e Lëvizjes.

Qëllimi i këtij takimi ishte që së bashku me profesionistët, të diskutohen çështjet më të ngutshme dhe më të rëndësishme të cilat kanë ndikuar që të degradojë sektori publik i shëndetit. Takimi ëhstë njëri në vazhdën e takimeve dhe diskutimeve që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar dhe do të organizojë me grupe të ndryshme të interesit në mënyrë që bashkërisht ta ndërtojë aspektin praktik të zbatimit të konceptit politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me qëllim të përmbushjes së vullnetit dhe mbrojtjes së interesave të popullit të Kosovës.

Takimi u hap nga Visar Ymeri, i cili përveç mirëseardhjes, shprehu vullnetin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për ta përmirësuar shëndetin publik në Kosovë, si dhe që të ketë bashkëpunim të ngushtë me exkpertët e kësaj lëmie.

Më pas fjalën e mori Arben Vitia, kandidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për deputet,  njëkohësisht mjek specializant, i cili foli për identifikimin e pikave kyçe për përmirësimin e shëndetësisë, nga konsultimet që janë bërë me mjekë të të gjitha profileve.

Diskutimi i prodhoi 5 prioritete të domosdoshme në të cilat duhet intervenuar në mënyrë që të fillojë përmirësimi i sektorit publik shëndetësor. Këto janë:

•    Sektorit shëndetësor i duhet më shumë planifikim në përdorimin e resurseve

•    Duhen eliminuar të gjitha format e keqpërdorimit të mjeteve dhe korrupsioni i cili e ka degraduar sistemin e shëndetit publik

•    Duhet punuar në ruajtjen e integritetit dhe dinjitetit të punëtorit shëndetësor

•    Fondi i sigurimit publik shëndetësor është i domosdoshëm për përmirësimin e përkujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve, i cili do të bëhet përmes kontratave kolektive

•    Decentralizimi i spitaleve rajonale, si kusht për funksionimin më efikas të tyre.

Probleme të veçanta të cilat u përmendën në takim ishin edhe lista esenciale e barnave në bazë të kërkesave të qendrave klinike rajonale dhe mirëmenaxhimi i kësaj liste, si dhe investimi në fuqizimin e sektorit primar që do ta ulte koston e shëndetësisë në përgjithësi.

Nga takimi me njerëzit të profesionit shëndetësor, të cilët për çdo ditë ballafaqohen me vështirësitë në sistemin tonë shëndetësor, u kuptua që korrupsioni në sektorin e shëndetësisë është një prej pengesave të tij më të mëdha. Keqpërdorimi i mundësive aktuale financiare të sistemit të shëndetësisë është duke e shkaktuar degradimin e vazhdueshëm të tij në dëm të qytetarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Geen opmerkingen:

Een reactie posten